Curly Sue
| Curly Sue | |
|---|---|
| Regjia | John Hughes |
| Shkruar nga | John Hughes |
| Producentë | John Hughes |
| Në role kryesore | |
| Kinematografia | Jeffrey L. Kimball |
| Montazhi |
|
| Muzika | Georges Delerue |
| Prodhuar nga | |
| Shpërndarë nga | Warner Bros. Pictures |
| Premiera | 25 tetor 1991 |
| Kohëzgjatja | 102 minuta |
| Gjuha | Anglisht |
| Buxheti | $25 million |
| Fitimi | $33.7 million |
Curly Sue është një film komedi dramatike amerikane e vitit 1991, me regji, skenar dhe prodhuar nga John Hughes, në rolin e tij të fundit regjisor për një film para vdekjes së tij në vitin 2009, dhe me aktorët kryesorë James Belushi, Kelly Lynch dhe Alisan Porter me Steve Carell në debutimin e tij në film. Filmi trajton historinë e një mashtruesi të pastrehë dhe shoqërueses së tij të re, një vajze bonjake, të cilët gjejnë strehim te një avokate e pasur, e specializuar në çështjet e shkurorëzimit. Filmi u shfaq nga Warner Bros. Pictures më 25 tetor 1991; ai mori kryesisht vlerësime negative nga kritikët, ndërsa arkëtoi 33,7 milionë dollarë kundrejt një buxheti prej 25 milionë dollarësh.
Përmbajtja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Bill Dancer dhe shoqja e tij e vogël, 7-vjeçarja Curly Sue, një vajzë bonjake të cilën Bill e kishte marrë nën kujdes që kur ishte foshnjë, janë njerëz të pastrehë me zemër të artë. Mashtrimet e tyre nuk kanë për qëllim fitimin e parave, por thjesht sigurimin e ushqimit. Një natë, ndërsa flenë në një strehimore, unaza prej teneqeje e Sue, një kujtim nga nëna e saj e ndjerë, vidhet nga një endacak, i cili më pas e lë atë peng në një dyqan sendesh të përdorura.
Pasi shpërngulen nga Detroiti në Çikago, dyshja arrin të mashtrojë Grey Ellison, një avokate të pasur të specializuar në çështjet e shkurorëzimit, duke e bërë atë të besojë se kishte përplasur makinën e saj Mercedes me Bill. Kur, natën tjetër, Grey e përplas vërtet Bill aksidentalisht, ajo këmbëngul t'i strehojë ata për natën, pavarësisht kundërshtimeve të të dashurit të saj arrogant, Walker McCormick. Pas një ballafaqimi ku zbulohet mashtrimi, Bill e pranon të vërtetën dhe i thotë Grey se ka ardhur koha që ai dhe Sue të vazhdojnë rrugën e tyre. Duke menduar se Bill e ka shfrytëzuar Sue për mashtrimet e tij, Grey kërkon që vajza të qëndrojë me të, por Bill nuk pranon ta lërë Sue-në. Megjithatë, Grey i lejon të qëndrojnë pasi kupton gjendjen tejet të vështirë në të cilën ndodhen të dy të pastrehët.
Walker, i shtyrë nga inati, i denoncon ata; si pasojë, Sue merret nga shërbimet e mbrojtjes të fëmijëve, ndërsa Bill arrestohet, pasi ai nuk kishte pasur kurrë kujdestarinë ligjore të fëmijës. Në burg, ai takon endacakun që i kishte vjedhur unazën Sue dhe e detyron atë të tregojë se çfarë kishte bërë me të. Grey vjen për ta nxjerrë Bill nga burgu; ajo gjithashtu ka arritur të nxjerrë Sue-në nga kujdesi i shtetit.
Pasi mëson se endacaku e kishte shitur unazën në një dyqan sendesh të përdorura, Bill e blen atë sërish. Sue dhe Grey kthehen në apartamentin e saj dhe gjejnë unazën; Sue e interpreton këtë si një shenjë se Bill ka vendosur që ka ardhur koha të ndahen. Megjithatë, pranë unazës gjendet një shënim ku thuhet se Bill ndodhet në dhomën e ndenjes.
Grey dhe Bill e birësojnë ligjërisht Sue dhe më pas martohen. Filmi përfundon me ta duke e shoqëruar Sue-në në ditën e saj të parë të shkollës.
Rolet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Alisan Porter si Curly Sue
- James Belushi si Bill Dancer
- Kelly Lynch si Grey Ellison
- John Getz si Walker McCormick
- Fred Thompson si Bernard Oxbar
- Branscombe Richmond si Albert
- Gail Boggs si Anise Hall
- Viveka Davis si Trina
- Barbara Tarbuck si Mrs. Arnold
- Cameron Thor si Maître d'
- Edie McClurg si Secretary
- Steve Carell si Tesio (kredituar si Steven Carell; në debutimin e tij të filmit)
- Burke Byrnes si Dr. Maxwell
- John Ashton si Mr. Frank Arnold (pakredituar)
- Ralph Foody si Drifter
Prodhimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Aktorja kryesore Kelly Lynch pranoi të merrte pjesë në film, pasi e pa atë si një lloj "kthimi pas, drejt atyre filmave të epokës së Depresionit ku mund të shihje Jean Harlow: një zonjë e pasur përfundon duke marrë nën kujdes një fëmijë bonjak. "Sipas Lynch, në kohën kur ajo iu bashkua projektit, ishte planifikuar fillimisht që në role të luanin Alec Baldwin (i cili kishte punuar më parë me Hughes në She's Having a Baby) dhe Kevin Spacey role të cilat më vonë u interpretuan përkatësisht nga James Belushi dhe John Getz. Ndonëse i pëlqente të punonte me Hughes, duke e përshkruar vizionin e tij si "shumë të saktë", por edhe organik, ajo theksoi se ai dhe Belushi nuk shkonin mirë me njëri-tjetrin. "Ndihesha pak a shumë si një nënë që duhej të merrej me dy djem 12-vjeçarë," tha ajo. "Ajo që mendoja se do të ishte një përvojë filmike e këndshme dhe e ëmbël, përfundoi duke zgjatur rreth pesë muaj, gjatë të cilëve u shpenzuan shuma të mëdha parash. Ishte çmenduri."[1]
Pritja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Filmi mori kryesisht vlerësime negative nga kritikët. Në Rotten Tomatoes, Curly Sue ka një vlerësim prej 13% bazuar në 15 recensione, me një notë mesatare 3,7/10.[2] Publiku i anketuar nga CinemaScore i dha filmit notën "B+" në një shkallë nga A+ deri në F.
Leonard Maltin i dha një yll e gjysmë nga katër në Movie Guide e tij, duke e përshkruar si: "Një film sipas formulës së John Hughes, ku formula nuk funksionon".[3]
Halliwell's Film Guide e përshkruan atë si "tepër sentimental dhe manipulues, në një mënyrë të bezdisshme".[4]
Nigel Andrews i Financial Times u shpreh: "Këtu, John Hughes kalon nga krijimi i komedisë më të suksesshme në historinë e kinemasë, në skenarizimin dhe regjinë e një vepre që mund të quhet thjesht pleh i pashkatërrueshëm".[4]
Roger Ebert i dha filmit tre nga katër yje, duke vlerësuar "humorin e përmbajtur dhe ngrohtësinë e aktorëve". Ai theksoi se filmi "nuk është ndonjë kryevepër dhe nuk është i thellë, por gjithsesi ka zemër".[5] Në At the Movies, kolegu i Ebert, Gene Siskel, shprehu një kundërshtim të fortë; ai u shpreh i habitur që Ebert jo vetëm që e vlerësoi pozitivisht filmin, por edhe e krahasoi atë në mënyrë të favorshme me Planes, Trains and Automobiles. Siskel e cilësoi Curly Sue si "tepër servil/i shtirur", shtoi se nuk kishte "aspak kimi" mes Belushit dhe Lynch, dhe e vlerësoi filmin me një "gisht poshtë".[6]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ Harris, Will (15 tetor 2012). "Kelly Lynch on Magic City, John Hughes, and playing a drag king". The A.V. Club (në anglisht). Marrë më 3 prill 2025.
- ↑ "Curly Sue". Rotten Tomatoes. Marrë më 12 dhjetor 2021.
- ↑ Maltin, Leonard (2008). "Curly Sue". Leonard Maltin's Movie Guide 2009 (në anglisht). Signet Books. fq. 304. ISBN 978-0-452-28978-9.
- 1 2 Gritten, David, red. (2007). "Curly Sue". Halliwell's Film Guide 2008 (në anglisht). Hammersmith, London: HarperCollins Publishers. fq. 276. ISBN 978-0-00-726080-5.
- ↑ Ebert, Roger (25 tetor 1991). "Curly Sue" (në anglisht).
- ↑ "Curly Sue/House Party 2/The Butcher's Wife/The Rolling Stones at the Max/La Belle Noiseuse". Siskel & Ebert. Sezoni 6. Episodi 7 (në anglisht). 1991-10-26. Koha në të cilën tregohet në video: 3:20.
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Filma 1991
- Filma komedi dramatike 1991
- Filma komedi dramatike amerikanë
- Filma amerikanë të viteve 1990
- Filma në anglisht të viteve 1990
- Filma me regji nga John Hughes
- Filma të prodhuar nga John Hughes
- Filma me muzikë nga Georges Delerue
- Filma të vendosur në Çikago
- Filma të xhiruar në Çikago
- Filma me skenarë nga John Hughes
- Filma të Warner Bros.